Mali, junta kërcënohet me sanksione

30/03/2012 00:00

Junta ushtarake që erdhi në pushtet me forcë në Mali ka tre ditë kohë për të dorëzuar pushtetin në duart e civilëve, ose do të përballet me një embargo diplomatike dhe financiare.

Ky është kërcënimi i ECOËA-së, një organizëm politiko-ekonomik ku bëjnë pjesë vendet e Afrikës Perëndimore. Pas një takimi në Bregun e Fildishtë, krerët e Afrikës Perëndimore thanë se do të vendosin sanksione udhëtimi për eksponentët e juntës ushtarake në Mali si dhe një embargo diplomatike dhe financiare ndaj këtij vendi nëse nuk rikthehet rendi kushtetues në afatin e kërkuar.

Sanksionet e mundshme do të përfshijnë ngrirjen e pasurive të mundshme financiare të anëtarëve të juntës si dhe ndalimin e përdorimit të porteve të tyre për anijet e Malit.

Krerët e kësaj organizate vendosën të marrin këto masa pasi u bë i pamundur takimi i tyre me kapitenin e grushtit ushtarak, kapitenin Amadou Sanogo.

Ushtria në Mali rrëzoi qeverinë dhe mori drejtimin e vendit pasi akuzoi autoritetet civile se nuk e armatosi sic duhet për të shtypur revoltën e fisit tuareg në veri të vendit. Por ndërsa Mali është në kaos, tuaregët që kërkojnë atonominë kanë shfrytëzuar momentin për të pushtuar më shumë territore.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka lëshuar një deklaratë në të cilën shpallet mosnjohja e regjimit të ri dhe kërkohet rikthimi i rendit kushtetues dhe qeverisë së zgjedhur me votë.

Megjithatë, pavarësisht presionit në rritje nga jashtë, drejtuesit e grushtit të shtetit shpallën një kushtetutë të re që shpall formimin e një qeverie provizore dhe zgjatjen  në kohë të regjimit të shtetrrethimi mbi të gjithë Malin, një prej vendeve më të varfëra në botë.

Aktualisht, presidenti Toure vazhdon të ndodhet brenda vendit, por gjendja e tij e vërtetë nuk është e njohur. 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta