Kopjoi, i hiqet doktoratura Presidentit të Hungarisë

30/03/2012 09:10

Një Universitet në Hungari i hoqi titullin e doktorit presidentit të vendit, Pal Schmitt, pasi gjeti se pjesë të rëndësishme të tezës ishin të kopjuara ose përbënin plagjiaturë.

Universiteti “Semmelweis” i Budapestit udhëhoqi një hetim që konfirmoi skandalin e ngritur nga një gazetë e përditshme në muajin janar.

Rektori i universiteti lajmëroi se doktoratura është hequr si rrjedhojë e “shkeljes së normave shkencore”.

Schmitt, roli i të cilit si president është kryesisht ceremonial, i ka hedhur poshtë akuzat dhe është shprehur se nuk do të japë dorëheqjen.

Një ish-kampion olimpik në skermë, Schmitt shkroi tezën e doktoraturës së tij në vitin 1992, duke u diplomuar pak kohë më pas nga Universiteti i Edukimit Fizik, pjesë e Universitetit Semmelweis.

Një komitet vlerësoi se në dokumentin e paraqitur prej 215 faqesh, më shumë se 200 prej tyre tregonin “ngjashmëri të pjesshme” apo ishin direkt përkthime nga punime të tjera.

Në qendër të stuhisë mediatike është vendosur edhe vetë universitetit, të cilit iu desh një denoncim nga mediat pas 20 vitesh kohë për të kuptuar se doktoratura ishte një plagjiaturë.

Top Channel