Kinë, biznes me vdekjen

30/03/2012 00:00

Dhjetra mjekë, infermierë dhe shoferë të ambulancave të ndihmës së parë janë vënë nën hetim në Kinë për bashkëpunim me agjenci funeralesh duke u dhënë informacion për personat që priteshin të ndërronin jetë brenda pak orëve.

Hetimi nisi në Shangai pas denoncimit të familjarit të një të sëmuri të cilit i ishin paraqitur agjentë të një agjencie funebre që i propozonin një “çmim të arsyeshëm” për përcjelljen e të afërmit të tij për në banesën e fundit, edhe pse ai nuk kishte ndërruar jetë ende. Vetëm pak minuta pas paraqitjes së “agjentit të vdekjes”, i sëmuri ndërroi jetë.

Praktika, jashtë cdo lloj etike, dyshohet se është ushtruar prej vitesh nga mjekë, infermierë dhe shoferë të ndihmës së shpejtë të cilët njoftonin agjencitë e funeraleve kundrejt një pagese prej tyre.

Aktualisht të dyshuarit, që janë me dhjetra, po hetohen në gjendje të lirë, por nëse cështja përfundon në gjykatë dhe shpallen fajtorë, ata rrezikojnë disa vite burg.

Top Channel