Japonia: Qëllojmë raketën koreanoveriore

30/03/2012 08:30

Japonia do të rrëzojë raketën koreanoveriore që do të transportojë një satelit në hapësirë nëse ajo do të hyjë në rrezen e hapësirës territoriale të kontrolluar nga Tokio.

Deklaratën kërcënuese e bëri të premten Ministri i Mbrojtjes, Naoki Tanaka. Peniani ka lajmëruar më parë se do të kryejë një lëshim në datat 12-16 prill, me rastin e festimeve për 100-vjetorin e lindjes së liderit të parë komunist të vendit, Kim Il-sung.

Fotografitë satelitore të marra të mërkurën treguan se puna për përgatitjen e vendit të lëshimit ka nisur.

Si kundërpërgjigje, Japonia ka vendosur në alarm sistemin e saj mbrojtjes dhe mban në gatishmëri raketat e specializuara në goditjen në ajër të raketave të tjera.

Ndonëse Korea e Veriut pretendon se operacioni ka vetëm qëllime paqësore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fqinjët kanë kritikuar ashpër regjimin e vendit komunist, duke e akuzuar për shkelje të një rezolute të mëparshme, e cila kishte kufizuar çdo lëshim nga ana e Penianit.

Uashingtoni ka paralajmëruar se lëshimi i raketës do të izolojë edhe më shumë vendin, që do të përballej gjithashtu me sanksione të mëtejshme. Presidenti Obama dhe homologu i tij kinez, Hu Jintao, shprehën një “shqetësim të përbashkët”, në një takim të realizuar më parë.

Më parë gjatë javës, edhe Korea e Jugut bëri një paralajmërim të ngjashëm, duke thënë se mund të godasë çdo raketë që do të kalojë mbi territorin e vendit. Filipina, gjithashtu ka shprehur shqetësim se pjesë të raketës mund të bien mbi vend.

Top Channel