Dietën e dielë, Napoli dhe Juventusi përballen në një ndeshje vendimtare për objektivat e të dy klubeve, por atmosfera napolitane tronditet nga deklaratat e sulmuesit Cavani, i cili nuk jep garanci për qëndrimin e tij të mëtejshëm në skuadër.
I pyetur nga rrjeti “Mediaset”, Cavani iu shmang pyetjeve për të merkaton, duke thënë se është i përqendruar vetëm tek beteja për të siguruar vendin e tretë, por pranoi me sinqeritet se në të ardhmen “mund të ndodhë gjithçka”.
”Gjëja më e bukur që mund të më ndodhë është të fitoj diçka me Napolin. Të mbetem në historinë e këtij qyteti do të ishte një ndjesi unike”, deklaroi sulmuesi uruguajan.
”E ndiej shumë afeksionin e njerëzve ndaj meje dhe këtu ka lindur djali im. Episodin e vjedhjes që më ndodhi e kam hedhur pas krahëve dhe që prej atëherë kam ndërruar apartament. Ndihem mirë këtu ku jam, por në të ardhmen nuk mund të përjashtoj asgjë. Për këtë arsye, dua të mendoj vetëm për të tashmen”.
Përsa i përket sfidës të së dielës me Juventusin, “Matadori” u shpreh: “E dimë të gjithë që është një ndeshje shumë e ndjerë nga tifozeria jonë. Champions ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe duam ta ripërjetojmë në sezonin e ardhshëm, prandaj fitorja dhe vendi i tretë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për klubin”.
Top Channel