Britania dyfishon ndihmat për rebelët sirianë

30/03/2012 09:40

Britania e Madhe ka dyfishuar ndihmat joushtarake për kundërshtartët e presidentit Bashar al-Assad në Siri, lajmëroi të premten Ministri i Jashtëm, William Hague.

Ministri bëri me dije se 500 mijë paund shtesë do t’i akordohen grupeve që kundërshtojnë regjimin brenda dhe jashtë vendit arab.

Në një fjalim nga Londra, Hague i bëri një thirrje të re Assadit që të pranojë se ai nuk ka më asnjë shpresë për të mbijetuar si figurë politike.

Deklarata e Hague vjen ndërsa një raport i ri i OKB-së vlerësoi numrin e viktimave në një vit përleshje të rebelëve me trupat qeveritare në 9 mijë persona.

Fondet që do të akordojë Londra zyrtare do të kenë si qëllim stërvitjen e aktivistëve dhe gazetarëve amatorë, në mënyrë që të realizohet një koordinim dhe mbulim më i mirë i protestave brenda vendit.

Megjithatë, mediat britanike janë treguar kritike ndaj deklaratës së Hagues, pasi mbështetja e Britanisë për rebelët vjen në një moment kur një plan i ndërmjetësuar nga Annan ka arritur të krijojë shpresa për mundësinë e vendosjes së një armëpushimi.

Top Channel