Arrestimet e shtetasve serbë në Kosovë dhe atyre shqiptarë në Serbi kanë shkaktuar pakënaqësi tek Brukseli, i cili ka deklaruar se veprime të tilla dëmtojnë dialogun dypalësh.

Një grup zyrtarësh kanë shprehur zemërimin e tyre, në veçanti ndaj Serbisë, duke i cilësuar arrestimet e dy shtetasve kosovarë si veprime me sfond elektoral.

Vetë ndërmjetësi i BE-së në bisedime, Robert Cooper u ka bërë thirrje palëve që të vetëpërmbahen dhe të respektojnë angazhimet që kanë marrë përsipër në raundet e mëparshme të dialogut.

“Marrëveshjet duhet të zbatohen. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë me përgjegjësi. Mendojmë se problemet politike duhet të zgjidhen me dialog dhe negociata dhe jo me përdorim selektiv të ligjit”, ka thënë Kuper.

Ditën e martë, policia e Kosovës arrestoi katër pjesëtarë të komunitetit serb, mes të cilëve kryetarin ilegal të komunës së Vitisë, pasi u kapën duke transportuar materiale ilegale zgjedhore.

Arrestimet në fjalë pasuan me arrestimin e dy kosovarëve nga policia serbe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, njëri për spiunazh dhe tjetri për trafik ndërkombëtar droge.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç deklaroi të mërkurën se këto arrestime nuk u kryen në kuadër të reciprocitetit, por në bazë të dy urdhër-arresteve të lëshuara nga organet e drejtësisë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se qeveria e Beogradit do të reagojë ndaj kujtdo që cënon rendin juridik të Serbisë, akuzë për të cilën u arrestuan edhe katër serbët në Kosovë.

Top Channel