Austri, hiqet guri i varrit të prindërve të Hitlerit

30/03/2012 15:00

Guri i varit të prindërve të Adolf Hitlerit në Austri është zhvendosur, pasi prej disa kohësh ishte bërë një objekt pelegrinazhi për neonazistët, bënë të ditur autoritetet të premten.

Eshtrat prehen në një varrezë në Leonding, dhjetë kilometra nga qyteti i Linzit. Sipas kryebashkiakut të qytezës, Walter Brunner, ishte një pasardhës i familjes ai që bëri kërkesën për zhvendosjen e gurit.

Adolf Hitleri u lind në qytetin e ndodhur pranë të Branaut, por shpenzoi shumicën e fëmijërisë në Leonding. Brunner nuk dha detaje të tjera për vendimin e pasardhësit të Fyhrerit, por shtoi se e mirëpret atë.

Me largimin e gurit të varrit që përkujtonte çiftin Alois dhe Klara Hitler, është dhënë edhe e drejta e qirasë mbi truallin dhe ai do të përdoret për varrime të reja. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me eshtrat brenda arkivolit.

Në vitin 2011, përveç luleve të vazhdueshme të vendosura mbi gurin e varrit, u shkrua edhe fjala “unvergesslich”, që do të thotë të paharrueshëm, së bashku me simbolin e esesëve.

Top Channel