Thaçi: Veriu, serbët, integrimi…

29/03/2012 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për televizionin
e Parlamentit Evropian, hodhi poshtë çdo mundësi për ndarjen e Kosovës
apo për një status të veçantë për zonën veriore të saj.

“Në asnjë rrethanë nuk do të ketë autonomi, status special apo ndarje. Çdo pretendim për ndryshim kufijsh do të thotë ndryshim kufijsh në gjashtë shtete të rajonit. Ata serbë janë të Kosovës dhe do të jetojnë në territorin e Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar hodhi gjithashtu poshtë zërat për lënien në harresë të pakicës serbe në veri, duke nënvizuar se kabineti i tij është i angazhuar për dialog me këtë komunitet.

“Qëllimi, përkushtimi dhe vizioni ynë është të kemi dialog direkt me serbët në veri, por jo me Serbinë. Ata kanë qenë viktima të strukturave paralele, unë do vijoj të kem kontakte me ta, t’i dëgjoj ata, në mënyrë që të integrohen në shoqërinë dhe në institucionet shtetërore”, deklaroi Thaçi.

Ndër të tjera, ai u shpreh se qeveria e tij do t’i përmbushë në një kohë rekord detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian, në kuadër të proçesit të integrimit. Thaçi u shpreh i vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë, por ai konfirmoi vullnetin e tij për arritjen e këtij objektivi.

“Për fat të mirë ne filluam studimin e fizibilitetit, si dhe dialogun për liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet tregtare me BE-në. Ne do t’i kryejmë të gjitha detyrimet që dalin ndaj këtij procesi integrues. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do t’i plotësojmë në një kohë rekord ato”, pohoi Thaçi.

Më tej kryeministri pranoi ekzistencën e fenomeneve negative në Kosovë, si korrupsioni dhe krimi i organizuar, por theksoi synimin e tij për t’i luftuar ato me “zero tolerancë”. “Po bashkëpunojmë ngushtë me EULEX-in dhe jemi të bindur se do ta fitojmë këtë luftë”, tha ai.

Në përfundim të intervistës, kryeministri u shpreh i bindur se marrëveshjet teknike të arritura me Serbinë në Bruksel do të kenë efektet e tyre së shpejti, kryesisht për përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe për fqinjësinë e mirë. “Pakënaqësi mund të kenë vetëm ata që merren me kontrabandë dhe korrupsion”, shtoi Thaçi.

Top Channel