Sindikatat spanjolle po mbajnë një grevë të përgjithshme për të protestuar kundër reformave laburiste që qeveria e re mendon se do të ndihmojnë në uljen e papunësisë.
Trafiku rrugor, ajror dhe ai hekurudhor janë prekur nga greva, me fluturimet e brendshme dhe ndërkombëtare që janë reduktuar ndjeshëm krahasuar me volumin e tyre të punës.
Qeveria konservatore e Mariano Rajoy do të publikojë të premten masat anti-krizë që do të kursejnë dhjetra miliardë euro. Greva e sotme është sfida e parë e rëndësishme e qeverisë spanjolle që kur mori detyrën.
Me kuotën më të lartë të papunësisë në BE, Spanja është nën presion për të reduktuar defiçitin e saj buxhetor dhe të vërë nën kontroll financat e saj publike.
Dy sindikatat më të mëdha të vendit e organizuan grevën për të protestuar kundër legjislacionit të ri, që e bën më të thjeshtë për kompanitë të pushojnë nga puna punëtorët.
Qeveria insiston se reformat do të krijojnë një sistem më fleksibël për bizneset dhe punëtorët, në një vend me stanjacion ekonomik që duhet të fillojë të krijojë vende pune.
Sondazhet sugjerojnë se vetëm 30 për qind e punëtorëve do të marrin pjesë në grevë, por vëzhguesit thonë se rezultatet e zgjedhjeve rajonale të së dielës, që ndëshkuan Parinë e Popullit në pushtet, mund të çojnë në një pjesëmarrje më të madhe.
Ignacio Fernandez Toxo, lider i një prej sindikatave tregtare, deklaroi se greva është një përgjigje ndaj një reforme brutale të sistemit tonë të punës.
Top Channel