Tryeza e socialistëve për infrastrukturën ka hapur një debat të fortë me qeverinë, pasi kreu i opozitës, Edi Rama akuzoi kryeministrin Berisha se gënjen kur thotë se ka ndërtuar dhe rindërtuar 9000 mijë km rrugë.

Por shifra prej 900 km e dhënë si e vërtetë nga kreu i opozitës është përgënjeshtruar nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.

Duke shfaqur me projeksion të dhënat dhe listën e rrugëve të ndërtuara, zoti Olldashi tha dhe numrin e saktë të kilometrave të rrugëve të ndërtuar dhe rindërtuar që pas ardhjes në pushtet nga viti shtatori 2005 deri tani.
 
“Kryemnistri i Shqipërisë ka dhënë një shifër të pasaktë, ka dhënë 9000 km, por janë 9103 km rrugë që qeveria e këtij vendi ka bërë në territorin e saj, të cilat zoti Rama nuk mundet t’i pjestojë as me 10-të e as me 12-të”, tha Olldashi.
 
Por në reagimin e tyre socialistët, duke iu përmbajtur qëndrimeve të një dite më parë i kërkuan zotit Olldashi të mos marrë meritat e socialistëve.
 
“Duke hequr këtu fillimet e rrugës së Kukësit, që është nisur me mendimin dhe projektin e qeverisë socialiste por e nisur e gjitha nga qeveria e PD-së për periudhën 2005-2007, shumica dërrmuese e rrugëve dhe projekteve janë të nisura dhe financuara nga qeveria socialiste. Këto rrugë nuk mund të hyjnë në xhepin e Berishës, sepse nuk janë të xhepit të tij”, tha Artan Lame.
 
“E fundit gjë që do t’u thëm është një maksim i Franc Kafkës që thotë “udha është e pafund as mund t’i heqësh dhe as mund  t’i shtosh gjë, por secili e mat me metrin e vet”. Në këtë rast më vjen keq të them se zoti Rama nuk ka metër ose nëse nga Kafka kaloj tek Vani i “Pallatit 176” më duhet të them që zoti Rama nuk është në metro. Gjejini metër”, tha ministri Olldashi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA