Poloni, 8 të vdekur në një aksident rrugor

29/03/2012 11:05

Tetë persona janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur nga përplasja mes një autobusi të vogël dhe një kamioni në jug të Polonisë.

Minibusi po transportonte një grup minatorësh të cilët po ktheheshin në shtëpi pas shërbimit në një minierë qymyrguri. Aksidenti ndodhi në afërsi të Ziviekut, rreth 70 kilometra në jug të Katovicës.

Policia po heton shkaqet e ngjarjes, por thotë se shoferi i kamionit, i cili i ka mbijetuar përplasjes, nuk ishte në gjendje të dehur.

Kamioni po transportonte lëndë druri, raportojnë mediat polake, dhe një vagon i ngjitur me të dyshohet se ka dalë në anën e kundërt të rrugës, duke u përplasur me minibusin.

“Po përpiqemi të përcaktojmë arsyet përse traileri ishte në korsinë e kundërt”, ka deklaruar një zëdhënës i policisë për agjencinë polake të lajmeve “PAP”. Pesë nga personat e plagosur mësohet se janë në gjendje të rëndë.

Ngjarja e sotme vjen dy javë pas aksidentit fatal të regjistruar në kufirin mes Italisë dhe Zvicrës, ku një autobus me 52 turistë belgë u përplas në muret e një tuneli duke shkaktuar 28 viktima.

Autobusi po kthehej në Belgjikë pas disa ditësh turizmi dimëror, 22 prej viktimave ishin fëmijë që po bënin një ekskursion me shkollën.  

Nga hetimet e kryera nga autoritetet zvicerane rezultoi se shoferi i autobusit nuk ishte në gjendje të dehur e as të fjetur, fakte që çuan në hipotezën se aksidenti u shkaktua nga një gabim njerëzor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA