Ndërron jetë viktima e krimit që shokoi Ukrainën

29/03/2012 19:00

Një 18-vjeçare ukrainase ndërroi jetë në spital, një javë pasi u përdhunua në mënyrë brutale nga tre të rinj, që më pas e hodhën në një hendek rrugor dhe i vunë flakën.

Oksana Makar u sulmua ndërsa ishte duke ecur në një rrugë kryesore të qytetit Mikolajiv në datën 8 mars. Ajo u gjet në grahmat e fundit të jetës dhe mjekët u detyruan t’i prisnin dy këmbët dhe një krah për t’i shpëtuar jetën.

Video e saj në spital, e xhiruar nga e ëma bëri xhiron e botës, ndërsa adoleshentja kërkonte hakmarrje ndaj përdhunuesve të saj. Pavarësisht tentivave të mjekëve, ajo ndërroi jetë të enjten prej plagëve të marra në mushkëri.

Ngjarja ka shokuar vendin jo vetëm për brutalitetin e saj, por edhe për faktin se dy nga tre përdhunuesit, duke pasur prindër të lidhur me politikën, u liruan brenda disa ditësh.

Ndonëse si pasojë e presionit publik ata u riarrestuan, ngjarja ka ngjallur një valë protestash kombëtare, kundër korrupsionit dhe abuzimit me gratë në vendin e ish-Bashkimit Sovjetik.

E përditshmja “Kiev Post” e ka përshkruar krimin si një prej më të tmerrshmeve që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit, ndërsa protesta me pjesëmarrje prej mijëra personash janë mbajtur në kryeqytet, Odesa, Lviv, Kharkiv dhe qytete të tjera të vendit.

Për të qetësuar situatën, zëdhënësi i Ministrit të Brendshëm, Volodimir Polishuk, në një konferencë për shtyp gjatë së enjtes informoi se të tre të arrestuarit janë të moshës 22-24 vjeç dhe se ata do të përballen me akuzat e vrasjes dhe përdhunimit, për të cilat mund të marrin dënimin me burgim të përjetshëm.

Sondazhet tregojnë se Partia Komuniste Ukrainase, e cila kërkon rikthimin e dënimit me vdekje në vend, ka fituar terren të menjëhershëm. PKU është aktualisht pjesë e koalicionit qeverisës në vend.

Top Channel