Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar lirimin e dy shqiptarëve të arrestuar në fshatin Koncul në Luginën e Preshevës.

Ky është reagim ndaj deklaratave të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, i cili deklaroi se shqiptarët ishin arrestuar në bazë të masave të reciprocitetit për shkak të arrestimit të katër serbëve në Kosovë, të cilët posedonin dokumente për zgjedhjet serbe.

Nisma Qytetare, Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut, Komiteti i Helsinkit dhe Qendra për politika praktike kanë kërkuar nga qeveria që të ndërpresw arrestimin politik të shqiptarëve për shkak të masave të reciprocitetit.

Arrestimi i njerëzve në baza të vendimeve politike, thuhet në deklaratë, paraqet shkeljet më të ashpra dhe rrënon kontrollin ligjor në Serbi. Sipas tyre, asnjë ligj në Serbi nuk parasheh masa reciprociteti për arrestime dhe Serbia ka masa diplomatike për të zgjidhur problemin e të drejtave të serbëve në Kosovë.

Organizatat kanë kërkuar intervenimin e prokurorisë për të hetuar deklaratat e ministrit.Policia ka arrestuar Hasan Abazin dhe Adem Urselin, siç ka thënë ministri për spiunazh dhe drogë. Ndërsa në reagimin e tij, Daçiç ka thënë edhe se nëse Kosova kërkon garë arrestesh atë do ta gjej.

Daçiç: Pranga kujt cënon rendin juridik serb

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç ka deklaruar të enjten se policia serbe do të arrestojë këdo që do të rrezikojë rendin kushtetues të Serbisë, akuzë për të cilën u arrestuan katër serbë në Kosovë.

Në një deklaratë për mediat, Daçiç ka thënë se në Kosovë ka shumë persona që cënojnë rendin juridik të Serbisë, të cilët punojnë në institucionet e Prishtinës, të cilat qeveria serbe nuk i njeh.

“Mendoni se sa njerëz në Kosovë cënojnë rendin kushtetues të Serbisë, me institucionet e Prishtinës që Beogradi nuk i pranon. Mendoni sa persona do të mund të ishin në shënjestrën e policisë sonë kur kalojnë kufirin”, ka deklaruar Daçiç.

Përsa u përket dy kosovarëve të arrestuar një ditë më parë, zyrtari i lartë serb ka nënvizuar se arrestimet e tyre nuk kanë ardhur si pasojë e reciprocitetit, por si pasojë e disa urdhër-arresteve të lëshuara më parë.

Policia serbe arrestoi të mërkurën në pikën kufitare të Dheut të Bardhë sindikalistin Hasan Abazi, i akuzuar për spiunazh, dhe Adem Murselin, i akuzuar për trafik droge.

Në të njëjtën pikë kufitare më herët policia e Kosovës arrestoi katër shtetas serbë, nën akuzën e transportit të materialeve elektorale për zgjedhjet lokale, që Beogradi kërkon t’i shtrijë në veri.

Po ditën e djeshme, Daçiç paralajmëroi Prishtinën se qeveria e tij do të veprojë me masa reciproke ndaj këtyre veprimeve, duke i dhënë jetë kështu “garës së arrestimeve”.

Top Channel