Kubë, Papa kritikon embargon e SHBA

29/03/2012 08:10

Papa Benedikti XVI ka kritikuar embargon 50-vjeçare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Kubës, teksa përfundonte vizitën e tij në ishull.

Papa bëri thirrje për më shumë të drejta në Kubë, duke u shprehur se dëshironte një shoqëri ku askujt të mos i mungonin liritë themelore.

“Arritja e këtyre objektivave nuk është ndihmuar nga masat ekonomike që në mënyrë jo të drejtë kanë rënë mbi kurizin e popullit të Kubës”, deklaroi Papa.

Benedikti XVI i bëri komentet e tij në aeroportin e Havanës, ku ishte i pranishëm edhe presidenti aktual i vendit latin, Raul Castro.

Ai tha se të gjithë kubanezët duhet të kenë mundësi të jenë pjesë e një shoqërie me horizont të gjerë, të rinovuar dhe paqësore.

Embargoja e Shteteve të Bashkuara, e njohur ndryshe si bllokada ose “el bloqueo” në gjuhën lokale, u vendos menjëherë pas revolucionit të vitit 1959.

Ajo u përforcua në vitin 1962, me mbështetjen e kubanezëve që ishin larguar në Shtetet e Bashkuara, pasi Fidel Castro kthehu në prona shtetërore pronat dhe korporatat amerikane.

Më herët gjatë qëndrimit në Kubë, ati i shenjtë u takua me liderin revolucionar dhe ish-presidentin e vendit, Fidel Castro, si dhe mbajti një meshë përpara një turme masive në Havana.

Takimi u përshkrua nga zëdhënësi i Vatikanit si “human dhe i ngrohtë”, me dy bashkëbiseduesit që shkëmbyen batuta për moshën e tyre.

Sipas zëdhënësit, at Federico Lombardi, ata diskutuan për liturgjinë e kishës dhe për pamundësinë e shkencës për të zgjidhur sfidat e së ardhmes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA