Japonia ka varur tre të dënuar, duke kryer ekzekutimet e para që prej korrikut të vitit 2010. Raportohet se të burgosurit, emrat e të cilëve nuk u publikuan, u varën në qeli të ndryshme.
Ata akuzoheshin për vrasje të shumëfishta. Japonia është një nga të paktat vende të industrializuara që mban ende në fuqi dënimin me vdekje, që zakonisht rezervohet për personat që kryejnë shumë vrasje.
Pavarësisht mbështetjes masive të dënimit kapital, grupet e të drejtave të njeriut thonë se dënimi në fjalë në Japoni është tepër i ashpër.
“Sot u kryen tre ekzekutime. Unë kam bërë detyrën time si ministër i Drejtësisë dhe në bazë të kompetencave që më jep ligji”, deklaroi ministri Toshio Ogawa.
Aktualisht në Japoni janë mbi 100 persona të dënuar me vdekje, por që nuk janë ekzekutuar ende, përfshirë Shoko Asahara, që ishte truri i atentateve me gaz vdekjeprurës në metrotë e Tokios në vitin 1995.
Gjithësesi, gjatë vitit 2011 nuk ka pasur asnjë ekzekutim. Shifrat zyrtare në vendin aziatik tregojnë se dënimi kapital mbështetet nga mbi 80 për qind e popullsisë.
Por grupet e të drejtave të njeriut, si Amnesty International, kanë bërë thirrje për heqjen e tij, duke deklaruar se të dënuarit kanë pak vizita, pak mundësi për të bërë ushtrime fizike dhe detyrohen të kalojnë shumicën e kohës të mbyllur qeli.
Disa herë ata mbahen në burg për dekada dhe nuk u njoftohet përpara kohe se kur do të ekzekutohen, gjë që bën që ata të kenë frikë se çdo ditë mund të jetë e fundit për ta.
Disa ditë më parë, Amnesty International deklaroi se ka pasur një rritje të numrit të dënimeve me vdekje të kryera në mbarë botën gjatë vitit 2011, shumica e të cilave në Lindjen e Mesme.
Top Channel