Në debatin për rezolutën për Serbinë në Parlamentin Evropian, Komisioneri Stefan Fule përsëriti thirrjen ndaj Beogradit, për mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Normalizimi i mardhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është edhe prioriteti kyç për avancimin e mëtejshëm të vendit kandidat në rrugën drejt BE-së.

Stefan Fule, Komisioneri Evropian për zgjerimin e BE:

“Përsa i përket prioritetit parësor, për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, ne do të vëzhgojmë disa aspekte: zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme; përparimin në çështjet e telekomunikimit dhe energjisë; por edhe bashkëpunimin me EULEX-in, për t’i mundësuar të ushtrojë të gjitha funksionet e veta në të gjithë Kosovën. Duhet të jetë gjithashtu e qartë se duhen shmangur të gjitha çështjet konfliktuale. Për shembull, Serbia duhet ta frenojë veten për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.”

Pjesa dërrmuese e debatit për Serbinë u mbizotërua nga kritikat e forta të eurodeputetëve nga të gjitha vendet fqinje, Rumania, Bullgaria, Hungaria, por edhe nga Austria, për mos-respektimin e minoriteteve përkatëse në vend, si edhe për mosrespektimin e duhur të të drejtave të njeriut.

Marije Cornelissen, grupimi Verts/ALE:

“Ne presim që Serbia të përmirësojë qëndrimin e saj ndaj minoriteteve etnike, në mënyrë që të kenë një të ardhme të mirë në Serbi dhe të mos ndjejnë nevojën për të kërkuar azil në Bashkimin Evropian. Ne presim që Serbia të luftojë ekstremizmin, ksenofobinë dhe homofobinë, në mënyrë që në muajin tetor qytetarët e Beogradit të ecin të lirë dhe të sigurtë në paradën gay. Dhe unë do të jem e pranishme atje.”

Përveç ecurisë në dialogun e Brukselit, i cili pritet të ri-nisë pas zgjedhjeve në Serbi, vendi duhet të përmbushë edhe një sërë prioritetesh të tjera para se të përfitojë çeljen e negociatave për anëtarësim me BE-në. Projekt-rezoluta për Serbinë, sëbashku me ato për Turqinë, Kosovën dhe Malin e Zi, votohen të enjten në seancë plenare në Bruksel nga Parlamenti Evropian.

Top Channel