Një shkëncëtar i qendrës shkencore europiane “CERN” u paraqit në gjyq në Francë, për t’u përballur me akuzat e komplotimit të sulmeve terroriste.
Adlene Hicheur është mbajtur nën arrest prej dy vitesh e gjysmë, që kur policia zbuloi se ai këmbente emaile të rregullta me pjestarë të Al-Kaedës.
Sipas akuzës, Hicheur kishte shfaqur i pari vullnetin e tij për të ndihmuar organizatën famëkeqe në përmbushjen e “kauzës” së saj. Avokatët mbrojtës pretendojnë se ai nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë komploti dhe se e vetmja gjë që ka bërë, është të ketë ndarë pikëpamjet e tij personale me persona të tjerë në internet.
Shërbimet Sekrete Franceze kanë arritur të zbulojnë 35 emaile të dërguar ndërmjet shkencëtarit dhe kontaktit të tij, pjestar i degës së Al-Kaedës në Afrikën e Veriut, në Organizatën Islamike të Magrebit.
Ndonëse emailet nuk janë publikuar, hetuesit pretendojnë se në të diskutohej edhe mundësia e disa sulmeve mbi objektiva ushtarakë apo politikë, për të ndëshkuar qeveritë anti-islamike.
Megjithatë, Hicheur pretendon se në asnjë letërkëmbim ai nuk ka shprehur se kishte vendosur që t’i realizonte këto sulme. Emailet u dërguan ndërsa fizikanti kishte marrë leje nga detyra e tij si specialist i thërrmijave në përshpejtuesin e laboratorit, që arriti të realizonte një përplasje midis asaj që quhet materie dhe antimaterie.
Gjatë qëndrimit në shtëpi për shkak të një problemi me hernian, është zbuluar se Hicheur, i lindur në Algjeri, kishte konsultuar një sërë faqesh interneti islamike.
Gjyqi ndaj shkencëtarit nis në një moment të papërshtatshëm për të, pasi një tjetër francez me origjinë algjeriane, Mohamed Merah, vrau shtatë persona i motivuar nga bindje racore, përpara se të vritej nga forcat e policisë më parë gjatë marsit.
Top Channel