Lënia e mandatit nga deputetja socialiste Rudina Seseri dhe zvarritjet
në plotësimin e vëndit vakant, që ajo la në grupin parlamentar të
opozitës, shkaktuan debat në seancën plenare.
Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci akuzoi kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli, se po mban peng vendin e një deputeti të PS-së.
“Na jepni përgjigje për mandatin që mbahet peng të deputetit të opozitës dhe e dyta të kalojë për seancën tjetër me qëllim që grupi parlamentar i opozitës të diskutojë dhe të ketë një qëndrim në marrjen e vendimit të vet dhe në votën që do të japë”, tha Ruçi.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila ka theksuar se është një rast unik në parlamentin shqiptar që një deputet nuk vjen në seancë për dy vjet rresht.
“Eshtë rast unik në 17 vite, unë nuk kam parë që dy vite rresht të mos vijë deputeti në sallë dhe të vijë për të votuar vetëm në fund të 6-mujorit. Zoti Ruçi, që të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin, unë e kam thirrur Këshillin e Rregullores për të shqyrtuar kërkesën që kishte ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por e vërteta është se në atë mbledhje mungonin deputetë, anëtarë të Këshillit të Rregullores, nga maxhoranca dhe nga opozita, për shkak se ata ishin të impenjuar në një proces shumë të rëndësishëm që kishte të bente me disa ligje shumë të rëndësishme”, tha Topalli.
Në përfundim të debatit, u caktua që mbledhja e Këshillit të Rregullores të zhvillohet ditën e hënë në orën 12:00.
Rudina Seseri deputete e qarkut Durrës dha dorëheqjen dhjetorin e shkuar nëpërmjet një letre dërguar kreut të opozitës Rama, ku për arsye personale që lidheshin me karrierën e metëjshme ajo largohej nga jeta aktive në politikë.
Top Channel