Babai i Merah padit shtetin francez

29/03/2012 09:10

Babai i atentatorit të Tuluzës, Mohamed Merah, ka punësuar një avokat algjerian për të paditur forcat speciale franceze për vdekjen e të birit, bëjnë të ditur mediat franceze.

Mohamed Merah, 23 vjeç, vrau shtatë persona, mes të cilëve tre fëmijë, në jug të Francës, përpara se të eleminohej në operacionin e forcave speciale javën e kaluar në apartamentin e tij.

Avokatja algjeriane Zahia Mokhtari tha për mediat franceze se Mohamed Benalal Merah vlerëson se djali i tij është vrarë.

Plani i zotit Merah ka shkaktuar kritika nga politikanët francezë. “Po të isha unë babai i një përbindëshi të tillë do të mbyllja gojën nga turpi”, deklaroi ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe.

Zonja Mokhtari tha gjithashtu për agjencinë e lajmeve “AFP” se, një konventë e nënshkruar mes Francës dhe Algjerisë u lejon avokatëve të hapin çështje ligjore në të dyja vendet.

“Zoti Merah erdhi në zyrën tonë në Algjer ditën e martë për të na kërkuar zyrtarisht që të padisim shërbimet franceze të sigurisë për mosndjekje të proçedurave gjatë përpjekjeve për të arrestuar Mohamed Merah dhe për vrasjen e tij”, deklaroi Mokhtari.

Mohamed Merah vdiq gjatë operacionit blic të policisë në apartamentin e tij në Tuluz, më 22 mars, pas një rrethimi që zgjati 32 orë, për shkak të përpjekjeve të autoriteteve për ta kapur atë të gjallë.

23-vjeçari kishte vrarë tre ushtarë në dy atentate të ndryshme, si dhe tre fëmijë dhe një mësues në një shkollë hebraike në jug të Francës.

Merah, i lindur në Francë por me prejardhje algjeriane, thuhet se i ka thënë policisë se donte të merrte hak për fëmijët palestinezë dhe të sulmonte ushtrinë franceze për shkak të operacioneve të saj ndërkombëtare.

Ngjarjet në fjalë, por edhe një tjetër e ndodhur në ditët e fundit ndaj një adoleshenti hebre që u sulmua dhe u quajt “çifut i ndyrë”, kanë vënë Francën në alarm për sulme të reja anti-semite.

Top Channel