Sonisphere, festivali i përvitshëm i muzikës rock që këtë vit do të mbahej në Knebworth Park të Stevenage (Angli) më 6-8 korrik, është anuluar.
Fansat prisnin që të kalonin një fundjavë të bukur në shoqërinë e The Darkness, Kiss, Faith No More, Incubus, Marilyn Manson, Adam Lambert etj., por kjo gjë nuk do të ndodhë. Organizatorët shpjeguan me anë të një komunikate vendimin për pezullimin e spektaklit.
“Me keqardhje të thellë lajmërojmë anulimin e ‘Sonisphere Knebworth 2012’. Organizimi i festivalit në një vit të vështirë si ky ishte shumë më vështirë se sa e kishim menduar. Muajt e fundit kemi punuar shumë që mos të arrinim deri në këtë pikë, por nuk ia dolëm.”
Ky është festivali i parë i madh muzikor që nuk do të zhvillohet në Britani për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë Europën.
Organizatorët theksuan se të gjithë ata persona që kanë blerë bileta për eventin do të rimbursohen plotësisht.
Top Channel