Çështja siriane, vendet arabe debatojnë në Irak

29/03/2012 15:25

Liderat arabë kanë nisur bisedimet mbi planin e paqes së paraqitur nga ish-kreu i OKB-së, Kofi Annan, në samitin e parë ndërkombëtar që zhvillohet në Irak që prej më shumë se një dekade.

Plani i pranuar në princip edhe nga qeveria e Al-Assad kërkon të vendosë një armëpushim të plotë në vend dhe të lejojë ndihmën humanitare në zonat e luftimeve.

Megjithatë, pavarësisht deklaratës mbështetëse të Damaskut, dhuna ka vazhduar edhe gjatë kësaj jave, me dhjetëra të vdekur çdo ditë në konfliktin e armatosur midis trupave qeveritare dhe rebelëve.

OKB synon të sigurojë një mbështetje të plotë nga vendet arabe, në mënyrë që të rrisë edhe më tej presionin mbi Al-Assad, i cili duket se ka humbur edhe mbështetjen e aleatëve të tij të mëdhenj, Rusisë dhe Kinës, që gjithashtu janë shprehur në favor të armëpushimit.

Një numër shpërthimesh u dëgjuan në qendër të Bagdadit në fillimin e samitit. Sipas dëshmitarëve pamorë, bombat ishin vendosur pranë Ambasadës Iraniane, por nuk ka të dhëna për dëme në njerëz.

Për Irakun, pritja e samitit është një ngjarje historike, ndonëse frika për sigurinë ka bërë që më pak se gjysma e 22 vendeve arabe të dërgojnë funksionarë të lartë. Të tjerë kanë dërguar të ngarkuar me punë ose diplomatë.

Plani i OKB-së për paqen në Siri, i ndërmjetësuar nga Kofi Annan, përmban gjashtë pika:

1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian

2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët

3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti

4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare

5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët

6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA