Vrasja, shoqata e bankave e indinjuar

28/03/2012 21:35

Pas ngjarjes së rëndë në një nga degët e Bankës Kombëtare Greke në Tiranë, ku mbeti e vdekur një arkëtare dhe u plagos një punonjës i sigurisë, ka reaguar edhe shoqata e bankave.

Në deklaratën për shtyp thuhet se megjithëse bankat i kanë marrë të gjitha masat, përfundimi tragjik i ngjarjes tregon për një nivel të ri kriminaliteti, përkundrejt të cilit nevojitet veprim dhe kundërpërgjigje e shpejtë dhe nga të gjithë organet e zbatimit të ligjit.

“Ky ishte akti më fatkeq dhe më i rëndë i një serie të gjatë tentativash dhe grabitjesh të bankave në qytete të ndryshme të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, për shumë prej të cilave kriminelët përgjegjës ende nuk janë kapur dhe ndëshkuar nga drejtësia”, vijon deklarata.

Shoqata Shqiptare e Bankave thotë më tej në deklaratë se, dënon ashpër veprimet brutale dhe kriminale dhe i bën thirrje Policisë së Shtetit për të vepruar në mënyrë të shpejtë dhe efikase për gjetjen dhe kapjen e kriminelëve.

Ndërkohë, ekspertët thonë se megjithë ligjin e rreptë, mënyra se si ruhen bankat nuk mund të përballojë sulme të armatosura, aq më tepër kur ato bëhen nga disa persona.

“Banka mund të përsosë sistemin e vet teknologjik por kundër armëve të zjarrit, ose një njeriu në gjendje të dëshpëruar për para ose në gjendje të rënduar psikologjike, ai nuk është më njeri, por kthehet në armë potenciale njerëzore”, deklaroi ish-drejtuesi i policisë, Shkëlzen Rexhepi.

Gjatë mbrëmjes së të martës policia ka shoqëruar të paktën 15 persona si të dyshuar për vrasjen e arkëtares dhe plagosjen e rojes së sigurisë së bankës.

Uniformat blu po vijojë hetimet dhe për të arritur tek autorët e ngjarjes kanë vendosur 10 mijë euro shpërblim për kë do të japë informacione që mund të çojnë në arrestimin e tyre.

Top Channel