Nisja e studimit të fizibilitetit për Kosovën dhe zgjidhja e çështjes së përfaqësimit në  nismat rajonale janë hapa të rëndësishëm drejt BE-se. Ky është vlerësimi i njohësit të çështjeve politike të Ballkanit, Tim Judah.

Ai thotë se studimit të fizibilitetit është hapi i parë i cili e çon Kosovën drejt marrëveshjes së stabilizimit dhe asociimit e që më pas hap rrugën drejt integrimit europian. Ndërkohë sa i përket pranimit të përfaqësimit të Kosovës me fusnotë Judah thotë se kjo çështje ishte një kompromis që duhej të bëhej.

“E di që çështja e fusnotës nuk është e popullarizuar këtu, por është një kompromis që është dashur të bëhej. Kosova është duke ecur përpara në integrimet europiane, pra kjo nuk do të mund të bënte këto nëse ato vende do të bllokonin, por ato nuk janë duke bllokuar. Ka mjaft hapësirë për manovrim në mes të njohjes dhe të penguarit dhe mendoj se ka ndryshim në këtë aspekt”, deklaroi analisti, Tim Judah, njohës i zhvillimeve në Ballkan.

Zoti Judah  po merr pjesë në konferencën tre-ditore “Rrjetit Transatlantik” me temën “Fuqizimi i Ballkanit”. Kjo konferencë ka mbledhur në Prishtinë 40 liderë të rinj nga shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Edhe ata kanë shqetësimet dhe problemet e tyre të njohura tashmë.  Spanja me rajonet e veta, Qipro dhe Greqia, që është e lidhur me Qipron, Rumania me minoritetet e veta, gjithashtu edhe Sllovakia, që do të thotë se kanë arsye e tyre për mosnjohjen. Por fakti është që kanë nisur ta zbusin qëndrimin e tyre ndaj Kosovës në kuptimin që Fyle është sot këtu për fillimin e studimit të fizibilitetit”, u shpreh Tim Judah.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues nga pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe se kjo do të jetë një mundësi e lidhjes me kryeqytete e këtyre pesë vendeve, duke rritur kështu rrjetin dhe numrin e  njerëzve të cilët janë të angazhuar në lobimin për njohjen e Kosovës.

Përfaqësuesi i Greqisë, i cili është konsulent në mekanizmat e zgjerimit të BE-së ka pohuar se konferenca bazohet në supozimin që njerëzit duhet të bashkohen dhe të krijojnë rrjete për të eliminuar keqkuptimet dhe të ndërtojnë ura kulturore.

Faktor në mosnjohjen e Kosovës nga ana e Greqisë, sipas përfaqësuesit grek, janë edhe marrëdhëniet e mira tradicionale me Serbinë si dhe kriza financiare greke e cila nuk ka lejuar ngritjen e çështjes së Kosovës.

“Greqia ka tre faktorë që e pengojnë njohjen e Kosovës. E para është çështja e Qipros. E dyta, ne kemi 2 apo 3 % pakicë në veri dhe ne nuk duam te hapim këtë çështje në Greqi dhe e treta është marrëdhëniet e mira tradicionale me Serbinë. Kriza financiare greke, nuk ka lejuar ngritjen e çështjes së Kosovës. Kosova  është ende një foshnje, është duke u rritur, ka zhvillime pozitive në drejtime të ndryshme dhe hapjen e vendit drejt investimeve të huaja, apo drejtimi i vendit drejt integrimit europian është mënyra më e mirë për të arritur shtetësi të pavarur dhe një lloj të sigurisë”, tha Georgios Chatzigiagkou, pjesëmarrës nga Greqia.

Konferenca e “Rrjetit Transatlantik” është organizuar nga Këshilli Britanik në Kosovë, Këshilli Britanik në Uashington DC dhe Ambasada Britanike në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Top Channel