Siri, bombardime intensive në Hama

28/03/2012 21:25

Forcat siriane kanë bombarduar një qytet në provincën e Hamës për të shtatëmbëdhjetën ditë rresht, ndërkohë që Liga Arabe diskutonte planin e paqës për t’i dhënë fund luftimeve 1-vjeçare.

Trupat qeveritare goditën bastionin e rebelëve Kalat al Madik, bëri të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

OKB dhe Liga Arabe i kanë bërë thirrje Sirisë që të miratojë planin, por Damasku ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë iniciative të Ligës, nga e cila u përjashtua vitin e kaluar.

I dërguari i dy organizatave, Kofi Annan i bëri thirrje të gjitha partive në Siri që të angazhohen për t’i dhënë fund dhunës së armatosur, si dhe një armëpushim 2-orësh për të mundësuar dërgimin e ndihmave tek zonat e prekura nga luftimet.

Ditën e martë Kombet e Bashkuara deklaruan se qeveria siriane kishte rënë dakord për të pranuar planin, një lajm ky që u prit me skepticizëm nga aktivistët anti-qeveritarë.

Por të mërkurën një zëdhënës qeveritar deklaroi për BBC se: “Që kur anëtarësimi ynë u pezullua, me vendet e tjera arabe do të mund të nënshkruajmë vetëm marrëveshje dypalëshe”.

“Për këtë arsye ne nuk do të bisedojmë dhe as do të pranojmë ndonjë iniciativë që rrjedh nga Liga Arabe në çdo lloj niveli”, ka nënvizuar Jihram Maqdessy.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA