Serbia arreston sindikalistin Abazi

28/03/2012 18:50

Pak orë pas arrestimit të katër serbëve në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, të cilët po bartnin për në Kosovë materiale zgjedhore,  policia serbe ka arrestuar Hasan Abazin, kryetarin e Sindikatës së Metaleve të Kosovës.

Ai u prangos në bazë të një fletë-arresti të vitit 2005, ndërkohë që lidhur me këtë cështje nuk është njoftuar as Eulex dhe as Policia e Kosovës. Nuk dihet se cilat janë shkeljet për të cilën shtetasi kosovar është arrestuar.

Abazi ishte aktivist politik në vitet e ‘90 në Kosovë dhe ka shërbyer dy herë në parlamentin paralel të Ibrahim Rugovës. Abazi tashmë është dërguar në paraburgim në Vranje. Ai ishte duke udhëtuar për në Kroaci me udhëheqësin e sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, Izet Mustafa, në një konferencë të Sindikatës Europiane.

Haki Abazi, i biri i Hasanit, i cili është drejtor i programit të Rockefeller Brothers për Ballkanin Perëndimor tha se familja është e shqetësuar për sigurinë e Hasanit. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkon  lirimin e sindikalistit Hasan Abazi, i arrestuar nga policia serbe.

Gjithashtu, policia serbe arrestoi edhe një tjetër shtetas kosovar, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga prokuroria e Beogradit për trafik ndërkombëtar droge.

Top Channel