Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron për një vizitë zyrtare në Romë. Para takimeve me autoritetet lokale, Hoxhaj ka mbajtur një takim me studentët e universitetit La Sapienza, ku ka folur për historinë e Kosovës, që nga spastrimi etnik serb e deri më sot.

Gjatë fjalës së tij, Hoxhaj ka deklaruar se dëbimi i mbi një milion shqiptarëve nga trevat e tyre dhe vrasja e dhjetëra mijëra të tjerëve kishin si qëllim ndryshimin e shifrave demografike në Kosovë.

“Serbisë asnjëherë nuk i ka interesuar popullsia në Kosovë, por vetëm territori. Politika e saj e spastrimit etnik u ndalua me ndërhyrjen humanitare të NATO-s, që solli paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan e më gjerë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ministri ka përfituar nga rasti për të falenderuar Italinë për rolin e saj në kuadër të misionit të KFOR-it, si dhe për shtetndërtimin e Kosovës.

Duke vlerësuar se, shpallja e pavarësisë përbën një histori suksesi për kontinentin e vjetër, Hoxhaj ka nënvizuar se, në kuadër të pakos së Ahtisarit, qeveria e Kosovës po implementon të drejtat e pakicave.

“Republika e Kosovës në katër vjetët pavarësi ka arritur të vendosë komunitetet në nivel qendror dhe lokal. Sot, komunitetet në Kosovë kanë të drejta më të avancuara se çdo komunitet tjetër në Evropë”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej, shefi i diplomacisë kosovare ka folur edhe për planin e Serbisë për të shtrirë zgjedhjet lokale në Kosovë, duke theksuar se një gjë e tillë do të rrezikonte stabilitetin në Ballkan.

“Nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në veri. Kjo do të rrezikonte tërë arkitekturën e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka shtuar Hoxhaj.

Top Channel