Përfaqësuesit e troikës si dhe vetë komisioneri europian për Çështjet Ekonomike, Olli Rehn në një seancë dëgjimore prej Parlamentit Evropian, për cështjen e shpëtimit të Greqisë, kanë hedhur kritika paralajmëruese ndaj Athinës, për sa i përket zbatimit të reformave të miratuara prej saj.

Komisioneri europian për Çështjet Ekonomike, Olli Rehn:

“Sfidat vazhdojnë të ekzistojnë. Ritmi aktual i reformës dhe i pershtatjeve është larg nga e mjaftueshmja për të bërë financat publike te Greqisë të qëndrueshme apo për të mbyllur hendekun e konkurrencës. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme”.

Olli Rehn gjithashtu përshkroi mungesën e unitetit politik si “thembra e Akilit” që ngadalëson përpjekjet e Athinës për të zbatuar programin e ri ekonomik.

Troika, dmth përfaqësuesit e BE, FMN dhe BQE mund të lehtësojnë, të tolerojnë dhe të mbështesin. Por në fund janë vetë grekët ata që duhet të veprojnë për të shpëtuar vendin dhe të marrin përgjegjësitë për këtë, ka deklaruar edhe anëtari i bordit të BQE, Joerg Asmussen.

Joerg Asmussen, anëtari i bordit te BQE:
 
“Grekët nuk e reformojnë ekonominë e tyre dhe gjendjen e tyre për të kënaqur Trojkën. Ata nuk bëjnë sakrifica per të kënaqur një vend apo tjetrin në Eurozonë. Ata janë duke shkuar drejt këtij progresi të përshtatjes, këtij procesi që synon mirëqënien e tyre dhe prandaj pritet një guxim maksimal politik dhe ky është celësi”.

“Nuk e ka fajin troika qe reformat nuk zbatohen në Greqi, por vetë grekët, interesa te vecanta te qarqeve të ndryshme në vend që nuk lejojnë zbatimin e tyre”, ka deklaruar edhe përfaqësuesi i FMN, Poul Tomson duke theksuar se Athina ka ende shumë rrugë për të bërë.

Ndërkohë në raportin e Drejtorisë së Përgjithshme të PE theksohen statistikat e pasigurisë për suksesin e programit grek, ndërsa thuhet se edhe nëse realizohet ulja e borxhit në 120.5% të PBB në 2020, përsëri kjo shifër e bën atë të paqëndrueshëm.

Edhe zgjedhjet parlamentare, që sipas dy partive më të medha në vend, do të zhvillohen në 6 maj të këtij viti, karakterizohen si një element që do t’i bëjë me komplekse zhvillimet politike dhe ekonomike në Greqi.

Top Channel