Debati i Parlamentit Europian për Kosovën u mbizotërua nga “lëvdatat” për dialogun e Brukselit. Ndërsa Komisioneri Shtefan Fyle renditi, njësoj si në Prishtinë, angazhimin mbi proçeset e ndryshme që pritet të nisin me vendin, presidenca daneze e BE-së vuri theksin tek reformat e paplotësuara, kurse përpiluesja e rezolutës, Ulrike Lunaçek, përsëriti thirrjet ndaj 5 shteteve anëtare të BEsë për njohjen e pavarësisë dhe i këkroi Serbisë  që të mos zhvillojë zgjedhjet lokale në veriun e Kosovës.  

Nicolai Uamen, Ministër për çështjet europiane, Presidenca daneze e BEsë:

“Këshilli vërejti progresin e kufizuar në axhendën e reformave për shkak të një viti zgjedhjesh. I kemi bërë thirrje Kosovës të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të adresuar parregullsitë e procesit zgjedhor. Këshilli vërejti gjithashtu nevojën për perpjekje më madhore nga autoritetet, veçanërisht për përforcimin e administratës publike dhe të shtetit të së drejtës. Nevojiten prova për të dëshmuar se po luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, se po bëhet progres në reformën gjyqësore dhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes.”

Ulrike Lunaçek, raportuesja e PE për Kosovën:

“Raporti im i bën thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Europian ta njohin Kosovën, sepse kjo do t’i bënte edhe më efikase përpjekjet e BEsë për vendin. Dhe i bëj thirrje Serbisë të frenohet nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës, pasi kjo shkon kundër ligjeve ndërkombëtare dhe kundër vetë rezolutës 1244, si dhe të ndalojnë mbështetjen për strukturat paralele.”

Në sallën gati bosh të seancave plenare në Bruksel, debati për Kosovën përfshiu si cilësimet ekstremiste të komunistëve grekë, deri tek mesazhet mbështetëse të disa eurodeputetëve spanjollë.

Charalampos Angourakis, partia komuniste greke, grupimi EUL:

“Kjo rezolutë promovon politikën imperialiste të BE-së me qëllim monopolizimin e Ballkanit gjatë një periudhe krize të thellë imperialiste. BE po mbështet EULEX-in, KFOR-in dhe bazën më të madhe amerikane jashtë SHBA-ve dhe po përpiqet ta shndërrojë në një protektorat të BE-së dhe NATO-s, si rezultat i një lufte të pistë kundër popullit jugosllav.”

Ramon Tremosa i Balcells, partia liberale katalane, grupimi ALDE:

“Partia katalane që përfaqësoj mbështet plotësisht procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE. Dua t’ju përkujtoj se ndërsa po diskutojmë zgjerimin e BE-së në këtë Parlament, ka ende pesë vende europiane që nuk e kanë njohur ende Kosovën si një shtet të pavarur europian.”

Rezoluta për Kosovën votohet mesditën e së enjtes në seancë plenare në Bruksel.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel