Në 100 vjetorin e lindjes, u përkujtua një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, Zihni Sako. Presidenti Bamir Topi e nderoi me urdhërin Nderi i Kombit.
Familjarë, kolegë, miq e dashamirës të akademikut, i cili është cilësuar edhe si babai i folklorit shqiptar dhe themelues i të parit Institut Folklorik në Shqipëri, u mblodhën në Akademinë e Shkencave në Tiranë për të vlerësuar jetën dhe veprën e tij.
Poezitë e Sakos u recituan nga aktorë të mirënjohur të teatrit të Tiranës dhe Teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës.
Gjatë eventit u shfaq edhe një dokumentar, përgatitur për nder të akademikut me regji të Marsela Lenës dhe Skenar të Klinton Nesturit, i quajtur “ Një jetë Plot dijë”.
Zihni Sako lindi ne Gjirokastër në 27 Mars të vitit 1912. Gjatë karrierës së tij të gjatë ka lëvruar prozën, poezinë, letërsinë për fëmijë, i ka kushtuar vëmendje të vecantë mbledhjes dhe ruajtjes së veprave folkloristike, dhe është shquar për kontributin e dhënë në shkencën e albanologjisë.
Top Channel