Mali, ushtarakët paraqesin Kushtetutën

28/03/2012 09:30

Liderët e grushtit të shteti në Mali kanë lajmëruar Kushtetutën e re të vendit afrikan që sipas tyre do të garantojë “shtetin e së drejtës”.

Gjithashtu ky akt themelor do të jetë edhe një garanci për “demokracinë pluraliste” sipas tyre.

Anëtarët e juntës në krye të Malit kanë saktësuar se nuk do të kenë të drejtë të paraqiten në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Një ushtarak ka dalë në televizion duke lexuar një tekst ku sqarohej se akti themelor përbëhet nga 70 nene dhe do të jetë në fuqi gjatë periudhës së tranzicionit.

Mali, ushtarakët në kontroll të plotë

Lideri i një grushti shteti në Mali deklaroi për BBC se është në kontroll të plotë të vendit, ndërsa tha se “e mban të hapur derën” për bisedime paqeje me rebelët separatistë.

Sipas kapitenit Amadou Sanogo, ai u “detyrua” të rrëzonte qeverinë, për të rikthyer sigurinë në vendin e Afrikës Qëndore. Ai premtoi se do t’i dorëzojë pushtetin një qeverie të zgjedhur, menjëherë sapo të shtypë rebelimin e tuaregëve.

Trupat pas grushtit të shtetit akuzojnë autoritetet e mëparshme se nuk i dhanë armë mjaftueshëm për të luftuar. Përpara se qeveria e zgjedhur e Bamakos të rrëzohej, tuaregët kishin arritur të vinin disa territore nën kontroll, duke zmbrapsur ushtrinë.

”Forcat e sigurusë, ato ajrore e tokësore, çdokush, çdo civil i vetëm është tashmë nën kontrollin e regjimit ushtarak, të cilin unë e drejtoj”, deklaroi Sanogo.

”Njerëzit janë rikthyer në normalitetin e tyre të jetës së përditshme. Tregjet janë hapur, transporti është duke funksionuar dhe unë besoj se po i afrohemi më pranë realizimit të atyre që i kemi premtuar çdo maliani”.

Për momentin, është e paqartë vendndodhja e presidentit Amadou Toumani Toure, por besohet se ai është vendosur nën mbrojtjen e një garnizoni elitë të mbetur besnik ndaj tij.

Pavarësisht se aktualisht zotëron kontroll të plotë mbi vendin, Sanogo po përballet me presion të shtuar ndërkombëtar për të rikthyer qeverinë demokratike në vend. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe ai Afrikan, së bashku me shumë partnerë ndërkombëtarë, kanë dënuar njëzëri grushtin që rrëzoi qeverinë e zgjedhur me votë.

Top Channel