Kinë, shpërthim në fabrikë

28/03/2012 00:00

Të paktën 2 persona humbën jetën dhe 26 të tjerë mbetën të plagosur pas shpërthimit në një fabrikë ushqimore në qytetin Uhan në Kinë.

Sipas autoriteteve kineze shpërthimi i shkaktua nga një kazan avulli nën presion dhe ishte aq i fuqishëm saqë shembi tavanin e ndërtesës duke zënë mbi të dhjetra punonjës.

Zjarrfikësit e patën të vështirë të nxirrnin nga rrënojat trupat e punonjësve të bllokuar nga sasi të mëdha inertesh. Ata thanë se operacionet e shpëtimit ishin me rrezikshmëri të lartë pasi kazanët e tjerë më avull me presion mund të shpërthenin.

Por pavarësisht kësaj, ata arritën të shpëtojnë të gjithë të mbijetuarit e incidentit, ndërsa policia kineze ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaktut të shpërthimit.

Kina ka një bilanc të rëndë përsa u takon incidenteve me pasojë vdekjen në punë. Në vendin e madh aziatik, tashmë ekonomia e dytë më e madhe në botë, siguria në ambjentet e punës thuajse nuk merret fare parasysh nga punëdhënësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA