Kili, neonazistët masakrojnë homoseksualin

28/03/2012 18:45

Shok në Kili. Një i ri, 24 vjeç është rrahur dhe torturuar barbarisht nga grupet neonaziste në Santiago për shkak të orientimit të tij seksual.

I riu homoseksual, i identifikuar si Daniel Zamudio është rrahur e torturuar në një nga zonat më të mbikqyrura nga policia në kryeqytetin kilian.

Sulmi ndaj tij u regjistrua në fillim të muajit mars, kur një grup neonazistësh i shkulën njërin vesh, e dogjën me cigare, e prenë në trup me pjesë xhami dhe më pas e goditën me grushte e shqelma në një park të Santiagos, pranë një stacioni policie.

I riu u shoqërua në spital, ku luftoi me vdekjen për ditë me radhë, betejë të cilën e humbi ditën e martë kur për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë.

Rasti në fjalë ka nxitur reagimin e shoqatave të homoseksualëve në Kili, por jo vetëm, duke kërkuar nga autoritetet nxjerrjen e autorëve para drejtësisë dhe garantimin e lirive dhe mosdiskriminim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA