Italia ngrin pasuritë e Ghedafi-t

28/03/2012 18:20

Me kërkesën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës, autoritetet italiane ngrinë të gjitha pasuritë që ish-diktatori libian, Muammar Ghedafi kishte “strehuar” në Itali.

Bëhet fjalë për të mira materiale dhe financiare kesh dhe në formë aksionesh në kompani e shoqëri me gamë të gjërë veprimi në Itali që kapin vlerën totale prej 1 miliard e 100 milion eurove.

Pasuritë janë shpërndarë kryesisht në tre kompani kryesore, në kompaninë naftënxjerrëse ENI, në shoqërinë e futbollit, FC Juventus dhe në bankën Unicredit.

Mes pasurive të bllokuara ndodhen edhe dy motorë super të shtrenjtë dhe 150 hektarë pronë pyjore në ishullin e Pantelleria-s. Të gjitha këto pasuri ishin në emër të pasardhësve të Gheddafi-t dhe personave të tjerë, besnikë të tij.

Pasuritë u bllokuan me kërkesë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë që po zhvillon hetimet përkatëse për përfshirjen e Gheddafi, pasardhësve dhe besnikëve të tij në krime kundër njerëzimit gjatë luftës civile disa-mujore që përfshiu vendin afrikano-verior vitin e kaluar e që përfundoi me rrëzimin dhe vrasjen e diktatorit.

Top Channel