Një prej sindikatave më të mëdha që grupon inxhinierët italianë shpalli një grevë të përgjithshme, në një protestë ndaj ndryshimeve që qeveria Monti po përpiqet të bëjë në ligjin e punës.
UILM njoftoi të mërkurën për një grevë të përgjithshme prej katër orësh, ndërsa kërcënoi për greva më të ashpra, nëse kërkesat e punëtorëve nuk do të pranohen. Në këtë mënyrë, sindikata e inxhinierëve u bashkohet shumë sindikatave të tjera, përfshi ato të transportit dhe punonjësve publike, që kanë shpallur që më parë nisma të tilla.
Qeveria teknike që drejton Italinë kërkon të heqë disa mbrojtje ligjore kundër shkarkimit nga puna, në mënyrë që të reduktojë mbrojtjen e punonjësve të vjetër, për të favorizuar punësimin midis të rinjve.
Sipas Montit, një nismë e tillë do të lejojë njëkohësisht koorporatat e mëdha që të jenë më fleksibël në treg, duke rritur kështu aftësitë e tyre konkurruese, ndërsa do të ndihmojë për zgjidhjen e krizës së papunësisë midis të rinjve.
Reformat do të ofrojnë shpërblime me lehtësira fiskale dhe subvencione për të gjithë ata që do të marrin punonjës të rinj në punë.
Megjithatë, sindikatat janë kundër ndryshimeve, duke theksuar se të drejtat e fituara nga punonjësit janë të merituara dhe se rritja ekonomike nuk do të stimulohet duke i dhënë më shumë dorë të lirë pronarëve për të bërë si të duan.
Pavarësisht protestave të sindikatave, nga një tur që është duke kryer në Azinë Lindore, kryeministri Monti u shpreh se ligji do të kalojë pa ose me mbështetjen e sindikatave. “Kam bindjen e plotë se ligji nuk është diskriminues dhe i ofron sindikatave një paketë të balancuar”, deklaroi Monti që nga Tokio.
Top Channel