Avokatët e 10 ish pjestarëve të UÇK-së të akuzuar në “rastin Kleçka” kanë dorëzuar me shkrim veç e veç  në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, fjalët përfundimtare, ku i kërkohet Trupit Gjykues që të shpallë të pafajshëm të gjithë të akuzuarit.

Në mesin e të akuzuarve është edhe deputeti dhe njëherësh nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, i cili gjatë luftës njihej me nofkën si komandant “Çeliku”, dhe Aktgjykimi për të dhe të tjerët pritet të shpallet këtë të premte, më 30 mars.
 
Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, ka treguar për Top Channel se kanë kërkuar nga Trupi Gjykues që të ketë një Aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit.
 
“Ne në fjalën përfundimtare kemi kërkuar që Gjykata të marrë një Aktgjykim lirues, për shkak se nuk ka prova me të cilat do të vërtetohej se Fatmir Limaj por edhe të tjerët të kenë kryer veprat penale me të cila akuzohen nga ana e akuzës së prokurorit publik”, tha Tahir Rrecaj, Avokat i Fatmir Limajt.
 
Sipas avokatit Rrecaj pas shpalljes si të papranueshme të të gjitha deklarateve dhe ditarëve të dëshmitarit kyç të këtij procesi, tashmë të ndjerë Agim Zogaj, i njohur si “X”-i, nuk ka më prova që 10 të akuzuarit të shpallen fajtorë.

“Tani Aktakuza e prokurorit publik i ka mbet pa prova. Dhe, këtë fakt e pat konfirmuar në një seancë të kaluar edhe vetë prokurori Salustro, i cili ka thënë se “nëse këto deklarata shpallen prova të papranueshme atëherë prokurori publik nuk ka akuzë të prokurorit publik”. Të gjitha provat të cilave i’u referohet prokurori publik janë të ashtuquajtura prova rrethanore dhe nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt as me z. Limaj dhe as me të akuzuarit tjerë”, tha Tahir Rrecaj, Avokat i Fatmir Limajt.
 
Të premten Prokurori i “rastit Kleçka” Maurizio Salustro në fjalën e tij përfundimtare me shkrim ka kërkuar “shpalljen fajtor të të gjithë personave të akuzuar”, për, siç ka shkruar ai, “veprat penale me kryerjen e të cilave ata i ngarkon aktakuza dhe t’i ndëshkojë ata në përputhje me ligjin”.

Top Channel