Bashkohet opozita siriane

28/03/2012 23:30

Diplomacia për Sirinë, duket se po lëviz shpejt. Presidenti sirian, Bashar Al Asad firmosi planin e të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, që gëzon mbështetje të gjërë ndërkombëtare, i aprovuar nga Rusia dhe Kina.

Pjesa më e madhe e grupeve opozitare në Siri kanë lënë mënjanë kundërshtitë dhe pranuan që përfaqësuesi i tyre të jetë Këshilli Kombëtar Sirian, interlokutori në bisedimet për të ardhmen e vendit.

Korrespondenti i BBC-së që ndoqi takimin në Stamboll tha se asnjë prej delegatëve me të cilët kishte biseduar, nuk beson se Bashar Al Asad është i sinqertë dhe opozita siriane nuk do të pranojë asnjë marrëveshje, që do t’i lejojë të mbajë pushtetin.

Nga ana tjetër, ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe, të mbledhur në Bagdad, parashikohet të mbeshtesin planin e Anan, duke i bërë thirrje opozitës siriane dhe qeverisë të ulen në bisedime.

Në një intervistë për BBC-në, përpara se Damasku të pranonte dokumentin e Anan, Navi Pilai, shefja për të drejtat e njeriut në OKB tha se autoritetet siriane në mënyrë sistematike burgosin dhe torturojnë fëmijë.

“Fëmije të qëlluar në këmbë, që mbahen bashkë me të rritur në kushte c’njerëzore, tregoi ajo, të cilëve u mohohet trajtimi mjekësor për plagët që mbajnë në trup, duke u mbajtur si pengje apo burime informacioni”.

Ajo i bëri thirrje Bashar Al Asad t’i japë fund burgosjes dhe të ndalojë vrasjet e civilëve, shumë thjesht, sipas saj, duke lëshuar një urdhër të vetëm. Sipas saj, presidenti sirian duhet të përballet me drejtësinë për abuzimet e kryera prej forcave të sigurisë.

Te marten, Radhika Koomaras/Vami, përfaqësuesja e OKB-së për fëmijët dhe konfliktet e armatosur, bëri publike informacionet e mbledhura se kryengritësit e Ushtrisë së Lirë Siriane po armatosnin fëmijët, duke i shndërruar në luftëtarë.

Më herët, sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton tha se Bashar Al Asad do të gjykohet për cfarë ka ndodhur në Siri.

Pavaresisht përpjekjeve diplomatike, ne terren duket se situata nuk ka ndryshuar. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se ushtria e ndihmuar nga tanket sulmoi në agim, qytetin Kalaat al Madi, pas një perde zjarri që vazhdonte për 17 ditë.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 9000 persona humbën jetën në Siri, prej nisjes së kryengritjes në marsin e kaluar.

Top Channel