Afganistan, të drejtat, fjalë e huaj për gratë

28/03/2012 00:00

Me qindra gra afgane ndodhen pas hekurave, të burgosura për ato që në vend quhen “krime të moralit”, ku përfshihen edhe largimet pa leje nga shtëpia dhe marrëdhenie intime jashtëmartesore.

Kështu shkruan në raportin e saj Human Rights Watch, e cila shkruan se qindra femra janë dënuar sepse janë larguar për t’i shpëtuar dhunës në shtëpi ose sepse janë përdhunuar.

Marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore, edhe kur femrat janë viktima të një përdhunimi, në ligjet e mbrapshta afgane, konsiderohet si tradhëti dhe rrjedhimisht një krim morali.

Në raportin me titull  “M’u desh t’ia mbathja…”, HRW shkruan se është tronditëse që edhe 10 vjet pas rrëzimit të talebanëve, femrat dënohen ende për shkaqe dhe akuza absurd. Kjo organizatë fajëson hapur për këtë presidentin e vendit, Hamid Karzai i cili vazhdon të ndryshojë pozicionin e tij përsa u takon të drejtave të grave për shkak se i trembet përballjes me grupet fetare konservatore në vend.

Rasti më i fundit ishte ai kur Karzai miratoi “Kodin e Sjelljes” hartuar nga klerikët vendas, ku parashikohet se në cilat raste burri mund të rrahë gruan si formë ndëshkimi. Sipas organizatës, në Afganistan, mjafton fjala e një burri për të dënuar gruan me shumë vite burg.

Raporti thotë se ka patur progress që nga pushtimi i amerikanëve dhe largimi i talebanëve nga pushteti, por vëren gjithashtu se ato pak të drejta të fituara me shumë mund nga gratë, po kërcënohen seriozisht nga zelli i qeverisë për të plotësuar tekat dhe qendrimet konservatore të klerikëve fetarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA