100 vjetori i flamurit kombëtar shqiptar do të shënohet në mënyrë institucionale në Maqedoni. Kuvendi me 55 vota pro, një kundër dhe 28 të përmbajtur, miratoi programin vjetor për shënimin e datave të rëndësishme në vitin 2012, ku bën pjesë edhe jubileu një shekullor i flamurit kombëtar.

Arben Labenishti, deputet i BDI-së:

“Dua të theksoj se në votim në sallë fatkeqësisht nuk ishin deputetët e PDSH-së dhe në të njejtën kohë dua të shpreh kënaqësinë që shumica parlamentare në mënyrë shumë logjike miratoi këtë program të rëndësishëm që pasqyron fytyrën e vërtetë multienetike të vendin, që na bashkon dhe rrisë mirëbesimin në vend”.

Bartës i manifestimeve për shënimin e 100 vjetorit është Instituti për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore, të cilit do t’i ndahen vetëm 5 mijë euro për organizimin një akademie solemne për këtë festë. Drejtori i këtij instituti Shefqet Zekolli, tha se ky është një buxhet qesharak që nuk mbulohen as 10% të aktiviteteve.

Shefqet Zekolli, drejtori i ITKSH:

“Kemi paraparë shumë aktivitete, simpoziume, konferenca shkencore, botimeve të librave të vecantë me dokumente arkivore, që botohen për herë të parë për të cilat ne nuk kemi mjete tjera, kurse këto që ka paraparë qeveria janë pothuajse të papërfillshme”.

Debati për miratimin e Programit vjetor për shënimin e datëve të rëndësishme ka zgjatur tre ditë dhe është shoqëruar me polemika të ashpra në Kuvend. Më të zëshëm ishin deputetët maqedonas të opozitës të cilët përmes një amandamenti kërkuan që shënimi i 100 vjetorit të flamurit shqiptar të hiqet nga programi, kërkesë kjo që nuk u pranua nga mazhoranca.

Top Channel