WSJ: Monti si Thatcher

27/03/2012 16:20

Erdhi në pushtet “rastësisht”, si magjistari që do të nxjerrë Italinë nga kriza e rëndë financiare. Por pak muaj pas marrjes së postit të kryeministrit, kritikat ndaj tij vërshuan lumë, si nga sindikatat, shoqëria civile, por edhe nga vetë politika, ndoshta përgjegjësja kryesore për situatën në të cilët ndodhet vendi.

Bëhet fjalë për kryeministrin italian, Mario Monti, i cili përtej oqeanit, nga mediat amerikane, merr lëvdata për vendosmërinë dhe vullnetin e tij për të vijuar reformat, edhe pse “të dhimbshme”, siç ai vetë i ka quajtur më shumë se një herë.

Prestigjozja amerikane, Wall Street Journal, në një artikull dedikuar kryeministrit italian, e krahason atë me ish-kryeministren britanike, Margaret Thatcher.

“Monti ka mundësinë e rrallë të edukojë italianët për reformat ekonomike. Ajo që vihet re në këto kohë është vendosmëria e tij, vullneti për të çuar përpara reformat që jo vetëm do të nxjerrin Italinë nga kriza, por dhe do t’i japin një hov të ri ekonomisë, në të njëjtën mënyrë që i dhanë reformat e Margaret Thatcher Britanisë në vitet ‘80-‘90”, shkruan WSJ.

Por sa rrezikon Monti me këto vendime? WSJ shkruan se me shumë gjasa kryeministri italian, njeri fjalëpak, por i vendosur, do të jetë ai që do të hedhë bazat e Italisë të së ardhmes dhe se do të arrijë t’i mbijetojë sulmeve përkundër asaj që po ndodh në Greqi.

Artikulli ka marrë shkas nga këmbëngulja e kryeministrit Monti për të vazhduar me reformat, sidomos me atë të tregut të punës, ku edhe pse ende s’e ka mbështetjen e sindikatave, ka premtuar se do të vazhdojë më tej me masat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA