Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fyle shpall edhe zyrtarisht në Prishtinë fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën. Vetë Fyle e quajti këtë si një hap dhe periudhë të re të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Ndërkaq për autoritetet kosovare shteti më i ri tashmë ka përspektivë të qartë europiane. Në Këshillin Kombëtar për Integrime Europiane, i themeluar së fundi, komisioneri Fyle numëroi disa nga kriteret që duhen plotësuar për të mbërritur deri hapja e negociatave për nënshkrimin e stabilizim-asociimit që shndërron Kosovën në një vend potencial për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
 
“Fillimisht, tregtia është esenciale që Kosova të vazhdojë të përcjellë rekomandimet e Komisionit Europian të bëra në maj të vitit 2011. Ne do të dergojmë një mision në qershor të këtij viti dhe ju duhet të përgatisni terrenin në mënyrë që të siguroni rezultatet pozitive. Cështja e dytë dhe shumë e rëndësishme janë reformat që duhet të bëhen në administratën publike.Unë po kështu, ju ftoj të arrini konsensus të gjerë politik në axhendën europiane, ku përfshihen reforma elektorale për zgjedhje demokratike. Cështja e katërt është sundimi i rendit dhe ligjit. Unë do të bisedoj me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe Ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi në Bruksel për këtë çështje në fund të Majit”, deklaroi Shtefan Fyle, Komisioner për Zgjerim i Bashkimit Europian.
 
“Si presidente e vendit do të marr cdo veprim ligjor që shton efektivitetin e institucioneve në integrimin europian të Kosovës”, deklaroi Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Marrja e fizibilitetit janë një përfundim i sigurtë i Kosovës drejt integrimit europian”, tha kryeministri Thaçi.

Nga ana tjetër, dorëzimi në mënyrë ceremoniale i dokumentetit të studimit të fizibilitetit nuk i ka emocionuar edhe aq shumë ambasadorët e vendeve mike të Kosovës.

Burime të Top Channel brenda takimit thonë se disa ambasadorë si ai Anglisë, i Italisë etj, e kanë zënë ngushtë komisionerin Fyle kur e kanë pyetur për hapat e mëtejshëm në marrëdhëniet BE- Kosovë, duke pasur parasysh faktin se pesëshja europiane vazhdon të mos e njohë pavarësinë.
Dhe duket se në këtë pikë Bashkimi Europian nuk ka strategji të qartë  për Kosovën. Komisionieri Fyle kur u pyet nga gazetarët, la të kuptohet se Brukseli me të vërtetë nuk ka një plan të saktë se si do të sigurojë ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Kosovën në parlamentet e vendeve të BE-së proces ky i domosdoshëm për nënshkrimin e saj.   

“Duhet të punoni që të ketë progres maksimal në fushat të cilat i kam përmendur më herët. Mirëpo unë nuk kam ardhur këtu që të flas për hapa final dhe nuk e di se çka do jenë të rezultatet e studimit të fizibilitetit dhe nuk e di cilat do të jenë rekomandimet. Nuk dua të spekuloj. Unë shpresoj që kosovarët do t’i shohin përfitimet dhe bashkë me ne do të fokusohen në përmbushjen e detyrave kryesore sepse pa to nuk mund të arrijmë qëllimin kryesor”, tha Fyle.

Sa i përket situatës në Veri, komisioneri Fyle rikujtoi lidershipin kosovar që të krijoje një axhendë gjithëpërfshirëse per veriun e përmendur edhe në raportin e progresit, por ai shtoi se nuk ka axhendë të fshehtë për zgjidhjen e këtij problemi.

Top Channel