Turqi, tërhiqet spoti me Hitlerin

27/03/2012 15:45

Pas protestave të komunitetit hebre, tërhiqet spoti turk që kishte zgjedhur që me anë të disa pamjeve të marra nga një nga fjalimet e Adolf Hitler të reklamonte një shampo.

Lajmi është njoftuar nga e përditëshmja turke, Hurriyet Daily Neës. Gazeta sqaron se agjencia e prodhimit të spoteve televizive, që realizoi edhe spotin me Hitlerin (e dubluar), vendosi ta tërheqë atë nga tregu nisur nga protestat e reagimet e forta, edhe ndërkombëtare të komunitetit hebre.

Megjithatë, thotë agjencia, spoti shfaqte si qesharak ish-dikatorin gjerman dhe në asnjë sekondë të tij nuk vlerësohet si figurë.

Bëhet fjalë për reklamimin e një shampoje ku riprodhohet një nga fjalimet “pasionante” e plot urrejtje të Hitlerit, veçse dublimi bën fjalë për shampon.

“Nëse je një burrë i vërtetë atëherë duhet të përdorësh këtë shampo, sepse burrat e vërtetë e përdorin”, thuhet në spot.

Spoti televiziv ka ngjallur reagimin e komunitetit hebre që jeton në Turqi. Kreu i rabinëve të Turqisë deklaroi se reklama është “krejtësisht e pavend” dhe kërkoi heqjen e saj nga qarkullimi sa më parë.

Top Channel