Strauss-Kahn, “shthurja s’është krim”

27/03/2012 18:55

Avokati i ish-kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Domenique Strauss-Kahn deklaroi se “të jesh një njeri i shthurur”, nuk është një krim.

Avokati Henri Leclerc u shpreh i sigurtë se akuzat e ngritura kundër klientit të tij do të rrëzohen.

Vetë Domenique Strauss-Kahn ka pranuar organizimin e festave me të ftuara “special”, por mohon se ka patur dijeni që ato kanë qenë prostituta, ashtu sic e akuzojnë hetuesit e Lilës. Nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura kundër tij, mes të cilave edhe favorizim prostitucioni, Strauss-Kahn rrezikon deri në 20 vjet burgim.

Ndërkohë, socialistët francezë, pjesë e të cilëve është edhe Strauss-Kahn, janë distancuar nga ish-kreu i FMN-së, duke dashur të mos prishin imazhin e tyre në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në dy raunde më 22 prill dhe 6 maj.

 Majin e vitit 2011, Strauss-Kahn dha dorëheqjen nga kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas akuzave të ngritura kundër tij për përdhunimin e një kamariereje të mbetur në tentativë në një hotel të Nju Jorkut.

Pas muajsh hetime, akuzat ndaj ish-kreut të FMN-së u rrëzuan dhe ai u shpall i pafajshëm, megjithatë dëmi u bë; ai që shihej si kandidati ideal i socialistëve francezë përballë Sarkozy në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, u tërhoq nga gara, nisur nga skandalet seksuale që shpërthyen.

Top Channel