
Qeveria siriane ka rënë dakord që të pranojë planin e paqes të paraqitur nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i tij.
Nga ana e tij, zoti Annan e konsideroi vendimin e Damaskut zyrtar si “një hap të rëndësishëm”, që mund të çojë në ndërprerjen e dhunës dhe gjakëderdhjes. “Megjithatë, jetike është implementimi”, tha ai.
Plani bën thirrje për dhënien fund të luftimeve, si pjesë e një armëpushimi të mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara. Opozita siriane e ka hedhur poshtë iniciativën e zotit Annan, duke e cilësuar si një mundësi që i jepet qeverisë për të vazhduar represionin e saj.
Në orët e para të mëngjesit, Annan mbërriti në Pekin
për të kërkuar mbështetje për iniciativën e tij. Autoritetet kineze deklaruan se shpresonin që gjatë bisedimeve të gjendet një zgjidhje për konfliktin.
“Kina vlerëson dhe mbështet përpjekjet e zotit Annan dhe shpreson që kjo vizitë të shoqërohet me bisedime të thella për arritjen e një rezolute politike për çështjen siriane”, deklaroi të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hong Lei.
Duke folur nga Moska përpara largimit të tij, Annan tha se kriza nuk mund të lejohet të degradojë më tej dhe se duhet arritur një marrëveshje mes të gjitha palëve.
Rusia ka ofruar mbështetjen e saj për planin e të dërguarit, që parashikon një armëpushim të mbikëqyrur nga OKB-ja dhe vendosjen e një dialogu politik.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se mbështetja e Moskës mund ta bëjë më të lehtë misionin e zotit Annan në Pekin.
Rusia dhe Kina u kritikuan rëndë pasi vendosën veton ndaj dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonin dhunën, që thuhet se ka lënë mbi 8 mijë persona të vdekur.
Pas takimit me ish-sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, presidenti rus Dmitry Medvedev deklaroi se vendi i tij e mbështet plotësisht misionin, pasi ai mund të jetë mundësia e fundit e Sirisë për të shmangur një luftë civile të tejzgjatur.
Ndërkohë, grupet e opozitës siriane po takohen në Stamboll, në përpjekje për të arritur më shumë unitet në prag të samitit të ri “Miqtë e Sirisë” që do të mbahet më 1 prill.
Top Channel