Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, i është dashur të vijnë sërish në Komisionin Parlamentar për Bujqësi dhe Planifikim Hapësinor. Kësaj radhe për t’i bindur anëtarët e Komisionit për ligjin për Qendrën Historikë të Prizrenit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka qëndruar në Komision vetëm në pjesën e parë nuk ka dashur të flasë para kamerave, ndërsa Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, është përgjigjur shkurt “ju e dini se nuk bëjë kurrë presion”.
 
Se si do të jetë i përbërë Këshilli Mbikqyrës ka qenë tema bosht e draft ligjit të ri, dhe dy variante kanë mbetur në letër për të cilat do të vendosin deputetët e Kuvendit të Kosovës.
 
Në variantin e parë Këshilli Mbikqyrës do të jetë i përbërë vetëm nga shoqëria civile dhe komunitetet, pa përfaqësues fetar. Dhe varianti i dytë, ky Këshill do të përbëhet nga shoqëria civile, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia Islame dhe nga Bashkesia Katolike.
 
“Është pjesa e ligjit që ka ardhë nga Ministria, dhe është varianti i Komisionit që është 6 anëtar të shoqërisë civile dhe 1 nga zyra e komuniteteve në Prizren. Gjithsejt 7 anëtar që do ta përbëjnë Këshillin”, tha Nait Hasani, Kryetar i Komisionit për Bujqësi dhe Planifikim Hapësinor.  

Ndërsa, ministri Dardan Gashi ka thënë se propozimi i Qeverisë nuk është diskriminues dhe se rrjedh nga Pakoja e Ahtisaarit.
 
“Ky ligj rrjedh nga Pakoja e Ahtisaarit. Nuk është diskriminues, përkundrazi Qeveria dhe ICO-ja kemi propozuar që në Këshill të jenë Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia Islame dhe Kisha Katolike, plus shoqëria civile dhe komuna. Nuk shoh diskriminim këtu kur janë të përfaqësuar të gjithë në mënyrë të barabartë”, tha Dardan Gashi, Ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor.
           
Në anën tjetër, Liburn Aliu, nga Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar sallën e takimit në shenjë proteste për shkak se nuk janë ftuar ekspertët gjatë amandamentimit të ligjit.  
                
“Procesi i amandamentimit pa ekspert ka qenë i gjymtuar. Rrjedhimisht unë nuk e kam konsideruar veten të gatshëm të hyjë në një process të amandamentimit pa ekspert sepse ajo ka qenë një farsë”, tha Liburn Aliu, Deputet VV.
 
Sidoqoftë, projekt ligji për Qendrën Historike të Prizrenit pritet të jetë në rend të ditës së Kuvendit të Kosovës pas dy javësh.

Top Channel