Penalizimi i Hungarisë

27/03/2012 23:30

Pas përplasjeve me Komisionin Evropian dhe raporteve kritike të Komisionit të Venezias, debatet për situatën në Hungari vijojnë edhe në Parlamentin Evropian. Komiteti për liritë civile zhvilloi diskutimin e parë për projekt-raportin që synon ndëshkimin e vendit anëtar në rast shkeljeje të legjislacionit evropian dhe mosrespektimit të parimeve themeltare.

“Ky raport nuk ka të bëjë me të majtën kundër të djathtës, ky raport nuk hartohet për luftën ideologjike por për vlerat e përbashkëta, ato vlera që ndajmë e që na mundësojnë bashkëjetesën”, tha Rui Tavares, raportuesi i LIBE për Hungarinë, Greens/EFA.

“Qëllimi ynë nuk është në asnjë rrethanë që të gjykojmë një vend dhe qeverinë e tij, por që të analizojmë dhe vlerësojmë nëse reformat e fundit kushtetuese në Hungari janë në përputhje me parimet e Traktatit të Lisbonës dhe vlerave Evropiane të shprehura në të. Kjo bëhet për epërsinë e legjislacionit të BEsë dhe për asgjë tjetër”, tha Tanja Fajon, ish-raportuese për vizat, S&D.

Në janar, Parlamenti Evropian pati zhvilluar edhe një debat në seancë plenare me praninë e kryeministrit Orban.

“Ne po i kërkojmë autoriteteve hungareze të korrigjojnë pikat që ngrejnë shqetësime. Ne nuk duam hije dyshimi për demokracinë e asnjë vendi anëtar”, deklaroi Jose Manuel Barroso, President i KE.

“Dëshiroj t’ju lutem që të mbështesni transformimet serioze në Hungari, të cilat mendoj se janë të rëndësishme për të ardhmen dhe unë besoj në mbështetjen e PEsë”, theksoi Viktor Orban, Kryeministër i Hungarisë.

“Ju po thoni se kjo është një çështje e reformimit të shtetit në bazë të vlerave Evropiane. Por vlerat evropiane janë demokracia dhe mirëqeverisja, ndërsa ju po vijoni parandalimin e këtyre. Ju doni të qëndroni në pushtet dhe kjo është fryma e shkeljeve që po shohim”, tha Hannes Sëoboda, president i S&D.

“Duhet të dërgojmë një delegacion në bazë të artikullit 7 në Hungari dhe të pyesim pse kanë frikë të pastrehët në Hungari, pse kanë frikë intelektualët dhe hebrenjtë në vend. Pse shkakton kaq frikë në Hungari kjo kushtetutë e re. Edhe nëse keni mazhorancën, minoritetet në Hungari kanë të drejtë të mos jetojnë me frikë zoti Orban”, tha Daniel Cohn-Bendit, Greens/EFA.

Pas këtij debati të nxehtë Kryeministri Orban pati premtuar korrigjimin e disa reformave, në konsultim me Komisionin Evropian, gjë që nuk e ka bërë ende siç duhet deri më sot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA