Merah, Al Jazeera nuk do ta transmetojë videon

27/03/2012 00:00

Drejtuesit e televizionit satelitor arab Al Jazeera, të mbledhur në Katar, kanë vendosur të mos e transmetojnë videon me vrasjet e Mohamed Merah.

Vendimi u mori pasi presidenti francez Nicolas Sarkozy u bëri thirrje stacioneve televizive që të mos transmetonin videon e sulmeve të atentatorit.

Një kartë memorieje kompjuteri, që përmbante një montazh të pamjeve të atentateve të shoqëruara me leximet e Kuranit, iu dërgua kanalit televiziv para se t’i kalonte policisë.

Merah, 23 vjeç, u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë javën e kaluar. Vëllai i tij, Abdelkader Merah, është akuzuar për bashkëpunim në vrasje, por ai i mohon akuzat.

Ndërkohë, policia franceze po kërkon një person të tretë në lidhje me vjedhjen e motorit tip “scooter” që u përdor nga vrasësi në atentatet e tij.

Sulmet e të riut, ku mbetën të vrarë edhe tre fëmijë, tronditën Francën. Pakoja që iu dërgua Al Jazeera-s mban datën 21 mars, ditën kur policia rrethoi apartamentin e Merah, bëri të ditur më herët gazeta “Le Parisien”.

“Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse letra ishte postuar natën e së martës nga vetë Merah, apo nga ndonjë bashkëpunëtor i tij të mërkurën në mëngjes”, njoftoi gazeta.

Mohamed Merah, një shtetas francez me origjinë nga Algjeria, humbi jetën në një shkëmbim zjarri me forcat speciale, pas një rrethimi të apartamentit të tij në Tuluz, që zgjati 32 orë.

Gjatë negociatave, ai pranoi se kishte qëlluar për vdekje tre ushtarë në dy atentate të ndryshme, si dhe vrasjen e tre fëmijëve dhe një mësuesi në një shkollë hebraike.

Ndërkohë, babai i Merah tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se i biri i tij do të varroset në Algjeri, që është edhe vendlindja e tij.

Mohamed Benalel Merah deklaroi gjithashtu se do të ndërmarrë një aksion ligjor kundër autoriteteve franceze për vdekjen e të birit, duke u shprehur se policia mund ta kishte kapur atë të gjallë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta