Medvedev sulmon Romney

27/03/2012 17:40

Presidenti në largim i Rusisë, Dmitry Medvedev, lëshoi një sulm të ashpër ndaj kandidatit potencial për president në SHBA, Mitt Romney, që e konsideroi më parë Federatën Ruse si një “prej armiqve tanë gjeopolitikë”.

Romney realizoi këtë koment ndërsa kritikoi presidentin Barack Obama për sugjerimin se një marrëveshje Uashington-Moskë mbi raketat antibalistike në Europë mund të gjendet, nëse ai do të rifitojë një mandat të dytë.

Në një bisedë joformale gjatë samitit të armëve bërthamore në Korenë e Jugut, Obama u regjistrua duke i kërkuar Medvedevit, që t’i përcillte presidentit të ardhshëm të Rusisë, Vladimir Putin, mesazhin se nëse presioni i Moskës mbi këtë çështje do të reduktohej përkohësisht, atëherë një zgjidhje e mirëpritur nga të dyja palët mund të arrihej brenda pak kohesh.

“Më keqardhje më duhet të them se komentet e Romney duket sikur kanë dalë nga filmat e Hollivudit për Luftën e Ftohtë, ndërsa i sugjeroj fuqimisht që të përdorë më shumë trurin përpara se të flasë”, ishte deklarata e ashpër e Medvedev.

Moska, prej kohësh ka kundërshtuar planet e SHBA-së dhe NATO-s për të vendosur në Europën Lindore disa sisteme të afta të shkatërrojnë raketat në ajër.

Ndonëse Uashingtoni ka argumentuar disa herë se sistemet do të kenë si qëllim të vetëm që të mbrojnë “Kontinentin e Vjetër” nga sulmi i papritur i ndonjë vendi armik si Irani, Kremlini beson se bazat kërcënojnë qartësisht interesat ruse, në një zonë të qartë të influencës së Moskës.

Në një intervistë të mëparshme për CNN, Romney, i cili udhëheq garën për të fituar emërimin e republikanëve për president, e cilësoi bisedën joformale Obama-Medvedev si “alarmuese” dhe “tepër shqetësuese”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA