Lufta në Lindjen e Mesme/ SHBA mbyll ambasadat në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, zvogëlon praninë konsullore në disa vende të tjera të rajonit Liderët botërorë kanë bërë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë për të frenuar kërcënimin e terrorizmit bërthamor, në një samit mbi sigurinë nukleare që po mbahet në Seul.
Presidenti koreano-jugor, Lee Myung Bak deklaroi se terrorizmi bërthamor mbetet një kërcënim i rrezikshëm, ndërsa presidenti Barack Obama u shpreh se veprimi është çelësi i shmangies së këtij rreziku.
Ndërkohë, edhe presidenti kinez Hu Jintao i bëri thirrje grupit që të punojë së bashku për çështjen në fjalë. Në takim ka dominuar paralajmërimi i Koresë së Veriut për të lëshuar një raketë muajin e ardhshëm.
Peniani deklaron se raketa me rreze të gjatë veprimi do të mbajë një satelit. Ndërsa Shtetet e Bashkuara thonë se lançimi i saj do të përbënte shkelje të rezolutave të OKB-së dhe do të ishte një test raketash.
Gjithashtu, programi bërthamor i Iranit ishte temë e samitit, me presidentin Obama që kërkoi një takim me liderët e Rusisë dhe Kinës për të punuar mbi hartimin e një rezolute.
Gjatë takimit, liderët botërorë kanë diskutuar masat për të luftuar terrorizmin bërthamor, përfshirë mbrojtjen e materialeve dhe impianteve bërthamore, si dhe trafikimin e materialeve të këtij lloji.
Aktualisht nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen dhe mbajtjen e materialeve bërthamore në mënyrë paqësore në vendin që i prodhon.
Një amendament që parashikon një gjë të tillë është ende i paratifikuar edhe pas 7 vjetësh, deklaron korrespondentja e BBC në Seul, Lucy Williamson.
Top Channel