Të paktën 16 persona janë arrestuar në Kabul të Afganistanit, pas zbulimit nga policia të një plani për të kryer atentate vetëvrasëse me përmasa të mëdha.
Burime nga shërbimet e inteligjencës kanë deklaruar për BBC se 11 xhaketa të mbushura me material eksploziv janë sekuestruar pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas burimeve, nëse do të ishin realizuar, sulmet do të kishin shkaktuar humbje të mëdha jetësh. Disa prej të arrestuarve janë ushtarë në Ushtrinë Kombëtare Afgane.
Xhaketat u sekuestruan të hënën në tre dhoma të ndryshme, në një parking automjetesh pranë Ministrisë së Mbrojtjes, më pak se një kilometër larg selisë presidenciale. Gjashtë ushtarë u arrestuan menjëherë më pas, të cilët ishin të armatosur dhe gati për sulm.
Rezulton se xhaketat do të shpërtheheshin brenda në autobuset që transportojnë personelin e institucioneve shtetërore.
Nga hetimet ka rezultuar se 11 autobusë që mbanin 1.100 anëtarë të stafit duhet të shpërthenin 45 minuta pasi arrestimet u kryen.
Ndërkohë, 10 persona të tjerë janë arrestuar të martën dhe të tjera arrestime pritet të bëhen gjatë ditës, kanë thënë burimet, të cilat kanë shtuar se Ministria e Mbrojtjes është mbyllur për arsye sigurie.
Korrespondenti i BBC në Kabul thotë se problemi i sulmeve nga ushtarë që rebelohen dhe talebanë të infiltruar janë një plagë që zgjat prej vitesh në radhët e policisë dhe ushtrisë afgane.
Top Channel